George Soros thjesht bën propagandë!

Enver Bytyçi

George Soros në një shkrim të gjatë rreth konfliktit në Ukrainë, fajëson për sulmin rus kundër Kievit në të njëjtën masë edhe Pekinin zyrtar, përkatësisht presidentin kinez, Xi Jinping, si dhe presidetin Putin. Soros shkruan se Xi i dha presidentit Putin kartën e bardhë për sulmin e tij kundër Ukrainës. Sipas tij, Kina po luan një rol të dyfishtë në krizën e Ukrainës. Madje ai shkon deri atje sa të pohojë me siguri të plotë se Putin dhe presidenti Xi janë pajtuar për këtë sulm ushtarak të Moskës kundër Ukrainës. Ndërkaq telefonatën e presidentit kinez me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin amerikan Joe Biden, e konsideron manipulim dhe fshehje të qëndrimit të Republikës Popullore të Kinës.

Pra, George Soros, i njohur për qëndrimet e tij anti-kineze, por edhe për sponsorizimin e perversitetit politik e moral në emër të neoliberalizmit, gati sa nuk fajëson Pekinin, po aq sa Moskën, për sulmet ushtarake të kësaj të fundit kundër Ukrainës. Këto qëndrime të Soros janë publikuar në një artikull të tij në disa medie ndërkombëtare. Ndërkaq unë po i referohem këtij artikulli të botuar në gazetën austriake “Der Standard”! Por nuk ndalet me kaq.

Soros në këtë artikull e konsideron luftën dhe konfliktin në Ukrainë si fillimin e Luftës së Tretë Botërore. Madje ai për këtë nuk shpreh asnjë dyshim. E jo vetëm kjo! E sheh këtë luftë si asgjësim të civilizimit të sotëm. Se Soros e sheh konfliktin në Ukrainë gjithashtu si produkt të marrëveshjes së 4 shkurtit 2022 midis Vladimir Putin dhe Xi Jinping, kjo lexohet qartë në artikullin e tij. Ai dëshiron të fajësojë në të njëjtën masë si presidentin rus, Vladimir Putin, ashtu dhe presidentin kinez Xi, pse kreu i shtetit të Kinës ka firmosur atë marrëveshje, së cilës ia kishte numëruar edhe sasinë e fjalëve në tekst (5000 syresh.

 Por është e paprecedentë që dikush të vendosë shenjën e barazimit në raste të tilla. Kjo qasje nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në këtë periudhë të një konflikti të nxehtë. Atëherë pse Soros dëshiron të ndezë zjarrin e konfliktit botëror? Sepse në strategjinë e “Shoqërisë së Hapur” të tij ka vetëm tension, konflikt, urrejtje dhe dasi. Ndaj dhe tipari themelor i pikëpamjeve dhe filozofimeve të George Soros është urrejtja dhe nxitja e konflikteve. Duket qartë se filantropi amerikan përfiton shmë nga krijimi i blloqeve të mëdha në konfliktin botëror. Ndaj për të nuk ka rëndësi numri i viktimave në Ukrainë, as stabiliteti, paqja e siguria. Rëndësi ka arritja e qëllimeve të tij, krijimi i mundësive për të qenë i pranishëm dhe  për të diktuar zhvillimet politike e ekonomike në çdo vend të botës, sidomos në vendet e mëdha e të fuqishme!

Kësisoj duket sikur filantropi indoktrinues amerikan dëshiron ta përdorë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës si kazus të një përplasjeje planetare. Megjithatë ekziston një e vërtetë tjetër, e ndryshme nga ajo që përshkruan dhe dëshiron ai të ndodhë. Ka diçka përtej përceptimeve të tij dashakeqëse. Soros nuk dëshiron që Kina të mbajë një qëndrim neutral. Bën përpjekje ta tërheqë atë si palë në anën e Rusisë, duke shfrytëzuar përceptimin e krijuar nga lidhjet e dy dekadave të fundit midis Pekinit e Moskës. Shkurt kërkon që NATO të mos përplaset vetëm me Rusinë, por edhe me Kinën!

Konflikti në Ukrainë nuk u projektua në marrëveshjen e 4 shkurtit 2022 të Pekinit. Ai konflikt dominoi diskursin publik, politik e gjeopolitik për një kohë të gjatë para kësaj date. Rusia kishte nisur me kohë përgatitjet e saj për sulmin ushtarak kundër Ukrainës. Tashmë është bërë e qartë se nënshkrimi i marrëveshjes së 4 shkurtit nuk ka të bëjë me Ukrainën dhe aq më pak me “një leje” kineze për sulmin rus kundër saj. Thjesht është marrëveshje për shkëmbime në fushën e tregtisë dhe ekonomisë, sidomos për furnizimin me gaz. Por gaz e naftë ruse vazhdojnë të marrin edhe vendet europiane dhe ato anëtare të NATO-s. Kjo nuk përbën arsye për akuza të tilla të krijimit të një “aksi të së keqes”, siç përpiqet të bëjë George Soros. Megjithatë manjati Soros me djallëzi e shfrytëzon këtë marrëveshje për t’i hedh zjarrit benzinë!

Qëndrimi kinez i derisotëm dëshmon se Pekini është jashtë këtij konflikti. Megjithatë qëndrimi kinez është i ndryshëm nga ai euro-amerikan. Por në themel të qëndrimit të RP të Kinës qëndron e drejta ndërkombëtare. Në këtë aspekt ministri i Jashtëm I Kinës ka bërë të qartë se “respekton sovranitetin e Ukrainës”! Ndërsa qëndrimi i Perendimit, veç të drejtës ndërkombëtare, merr parasysh rrezikun që përbën ky agresion, veçmas për Europën. Ndërkohë nuk duket se Kina ka interes për zhvillimin e konflikteve dhe luftrave në Europë e në Azi. Strategjia kineze është bashkëpunimi dhe harmonia ndërkombëtare bazuar në rendin e sotëm botëror. Për këtë arsye Pekini nuk është dhe nuk mund të ishte arsyeja e sulmit ushtarak të Rusisë kundër Ukainës. Prandaj dhe George Soros thjesht bën propagandë! 

postime te fundit

CONTACT US