SHBA dhe RP e Kinës mund të ruajnë ekuilibrin e paqes në glob

Të enjten e shkuar presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidenti i RP të Kinës, Xi Jinping, zhvilluan një bisedë të gjatë telefonike, prej gati tri orësh midis tyre. Ishte biseda e parë pas kaër muajsh, por që u ndikua nga një zhvillim i ri në marrëdhëniet kino-amerikane. Nancy Pelosi është numri tre i autoriteteve amerikane dhe ajo dëshiron të bëjë një vizitë në Tajvan. Pikërisht kjo vizitë e Pelosit në ishullin kinez ka tensionuar marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit.

Por Presidenti dhe qeveria kineze refuzojnë pavarësinë e Tajvanit, i cili në fakt nuk ka një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe historikisht ka qenë pjesë e popullit dhe territorit kinez. Presidenti Xi e konsideroi këtë vizitë si provokim dhe ndërhyrje në punët e brendshme. Ministria e Punëve të Jashtme në Pekin e konsiderojë si “lojë me zjarrin”! Megjithatë, kjo situatë tensionuese midis dy Fuqive të Mëdha nuk ka mundur të shuajë shpresat për një normalizim të marrëdhënieve midis tyre.

Të dy presidentët kanë rënë dakord që të bisedohet midis dy vendeve për të gjitha problematikat që ekzistojnë. Kjo do të thotë se diçka po lëviz në dobi të çtensionimit të marrëdhënieve në linjën Pekin-Uashington. Vetë presidenti Biden u shpreh më vonë se “nuk është momenti që Pelos të vizitojë Tajvanin”! Dhe në situatë të tillë Biden dhe Xi vendosën që të ngrenë grupe pune me qëllim lehtësimin e komunikimit midis dy vendeve. Ndërkohë ne e dimë se komunikimi është mjeti më i rëndësishëm për zgjidhjen e konflikteve dhe problematikave në shoqërinë njerëzore. Sa kohë ka komunikim, aq kohë ka edhe shpresë për mundësi të reja zhvillimi e përparimi. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-ve!

Por çfarë e bën të domosdoshëm ekuilibrin midis të të dy vendeve? Kryesore është lufta në Ukrainë. Shumë analistë cinikë e idhnakë i lexoj tek shkruajnë për një aks të së keqes, ku përfshijnë edhe Kinën. E vërteta është krejt ndryshe. Kina nuk është marionetë e asnjë vendi në botë, pra as e Rusisë. Kina është dhe mbetet një Fuqi e Madhe e globit dhe për pasojë ajo sillet si partnere me të gjithë aktorët e tjerë në botë. Kina nuk është një vend, si Siria p.sh, që të ketë nevojë për t’u mbështetur në ndihma dhe aleanca fluide! Për një vend e një Fuqi të Madhe, si Kina, janë aleatë të gjitha ato vende dhe Fuqi të Mëdha që respektojnë të drejtën kineze.

Në këtë aspekt është e gabuar që Kina të trajtohet si “aleate” e Rusisë. Ajo kishte para luftës marrëdhënie partneriteti të plotë me Moskën dhe disa linja të këtyre marrëdhënieve i ruan edhe sot. Por nëse Fuqitë e tjera të Mëdha i përgjigjen me partneritet, nuk vërehet asnjë pengesë që Pekini të përgjigjet pozitivisht. E njëjta gjë u shpreh gjithashtu në bisedën midis dy presidentëve të të dy vendeve. Ndaj, nëse krijohet klima e besimit midis Pekinit dhe Uashingtonit, atëherë modeli i marrëdhënieve Pekin – Moskë mund të vendoset edhe në linjën Pekin – Uashington. Fakti që Shtëpia e Bardhë pas bisedës Biden-Xi deklaroi se do të mbahen e thellohen kanalet e komunikimit midis SHBA-ve dhe RP të Kinës, si dhe akti tjetër se të dy presidentët do të takohen së bashku, janë premisa të një ere të re në marrëdhëniet midis dy Fuqive më të Mëdha të planetit. Nëse ndodh kjo, bota do të kishte një frymëmarrje tjetër dhe paqja e stabiliteti në botë do të ishin shumë herë më të garantuara.

Kushtet dhe rrethanat në botë kanë ndryshuar. Republika Popullore e Kinës nuk është si Rusia. Ajo ka potenciale të jashtëzakonshme për të imponuar respektin ndaj pavarësisë së saj dhe paqen. Respekti ndaj Kinës dhe mënjanimi i akteve injoruese për të është hap i domosdoshëm për një ekuilibër marrëdhëniesh në dobi të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Kjo do të ndihmojë aktorët ndërkombëtarë që të zgjidhen më lehtë vatrat e tensionit, të krizave dhe konflikteve kudo në botë. Ndihmon edhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ukraina dhe konflikti që zhvillohet atje ndoshta është një arsye serioze pse Kina duhet të tërhiqet në marrëdhënie partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian. Dhe jo vetëm kaq, që botën ta bëjmë më të mirë e më ta paqtë, duke biseduar dhe komunikuar me Pekinin! Shtëpia e Bardhë njoftoi në këtë kuadër një mundësi për takimin direkt të të dy liderëve të të dy vendeve. Nëse këto takime bëhen ritmike, atëherë bota ka shpresë për një të ardhme më të mirë! SHBA dhe RP e Kinës janë në gjendje e të afta ta ruajnë ekuilibrin dhe harmoninë në botë!

postime te fundit

CONTACT US