Hapja e Kinës çon në stabilitetin post Covid pan-global!

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Kina shpalli pas tri vitesh hapjen e vendit. Politika e izolimit dhe e mbrojtjes nga Covid 19 e qeverisë kineze kishte kuptim sa kohë që virusi në fjalë ishte pandemik. Ndërsa sot ky virus është konsideruar si endenimik. Për pasojë është lehtë të identifikohet fakti se rrezikshmëria e Covid-19 tani është shumë më e ulët sesa në fillimet dhe kohët e mëparshme, edhe pse përhapja e tij mund të vazhdojë me të njëjtat përmasa si më parë.

Festival i fishekzjarrëve në qytetin Liuyang, 31 dhjetor 2022(Foto:VCG)

Gjatë gjithë kohës së pandemisë në Europë, SHBA dhe gjetkë, qeveritë u përpoqën të krijojnë një ekuilibër midis izolimit për të shpëtuar jetë njerëzish dhe hapjes për të shpëtuar gjithashtu ekonominë e vendeve të tyre. Në fund të fundit mbyllja e tejzgjatur do të çonte në katastrofë ekonomike e financiare e për pasojë jetët e njerëzve do të rrezikoheshin nga varfëria dhe skamja, njësoj si edhe nga pandemia. Prandaj dhe krahas mbylljes bota aplikoi forma e mënyra alternative, deri të hapja e përkohshme dhe e më në fund e përgjithshme.

Republika Popullore e Kinës e ndërmori këtë hap e fundit, pasi politika e saj e izolimit dha sukseset e saj të padiskutueshme. Tani vendi është në periudhën e testimit të asaj çfarë ndodh e mund të ndodhë pas hapjes. Por ekspertët e ekonomisë, financave dhe bankave në perëndim janë thuajse në unison optimist sa i përket kësaj mase të lidershipit kinez. Ata besojnë se ekonomia botërore do të ketë përfitime të mëdha nga hapja sërishmi e tregut kinez. Tashmë sipërmarrjet e huaja në Kinë do të kenë mundësi të lëvizin me hapa të sigurt drejt tregut botëror e sidomos atij europian.

Dhe jo vetëm kaq. Këto sipërmarrje rifitojnë atraktivitetin e tyre në të gjitha pikëpamjet, në administrim, organizim, orientimin e tregut, mundësitë e reja të partneriteteve brenda dhe jashtë vendit dhe për pasojë edhe shtimin e produktit shoqëror. Kina përbën një të pestën e produktit të përgjithshëm shoqëror të globit tokësor. Hapja dhe injorimi tashmë i efekteve negative të pandemisë Covid-19 e bën atë që të konkurrojë me sukses në këtë treg. Nga kjo nuk përfiton vetëm ekonomia kineze, por edhe ajo globale.

Një qendër tregtare në Pekin, 2 janar 2023(Foto:VCG)

Ndërkaq në botë qarkullojnë teza dhe hipoteza të ndryshme rreth hapjes së Republikës Popullore të Kinës dhe qasjes së re të saj ndaj Covid-19. Në momentin që Pekini vendosi hapjen, pra rikthimin e normalitetit në jetën qytetare dhe në ekonomi e biznes, vende të ndryshme reaguan me masa kontrolli e kufizuese të kinezëve që udhëtojnë në këto vende. Në fakt vihet re më shumë zhurmë, sesa masa kufizuese. Por ç ‘rëndësie ka! Në disa aeroporte europiane dhe gjetkë kinezët do të vihen nën kontroll të rreptë për shkak të “rrezikut të pandemisë”, e cila tashmë po shndërrohet në endemi, thonë ekspertët. Ekspertët nuk vërejnë në asnjë rast që në momentin e hapjes apo pas saj në Kinë të kishte ndonjë lloj virusi të ri e specifik, të rrezikshëm apo më të rrezikshëm për njerëzimin. Përkundrazi, variantet e sotme të përhapura, janë zbuluar kohë më parë në vende të tjera, përfshirë dhe vendet europiane.

Një masë e tillë për variantin tashmë të zbutur të Covid-19 duket se nxitet nga politika të caktuara, sepse ekspertët thonë të kundërtën. Këta ekspertë i përkasin kryesisht shoqatave dhe organizatave të specializuara që ekzaminojnë dhe ndjekin sëmundjet ngjitëse e sidomos pandeminë e Covid-19. Dhe pikërisht këta i konsiderojnë masat izoluese të lëvizjes së qytetarëve kinezë si “të pakuptimta” dhe të padobishme.

Imagjinoni sa do të rritet numri i turistëve në vendet e ndryshme të botës pas hapjes së Republikës Popullore të Kinës! Do të përfitojnë sidomos vendet me turizëm të zhvilluar ekzotik në kontinentin aziatik, por edhe ato të Lindjes së Mesme. Pse jo, përfitime do të kishte e do të ketë turizmi europian, përfshirë dhe turizmin shqiptar. Po ashtu turizmi në SHBA! Dhe të gjitha këto përkthehen në rritje të të ardhurave dhe përfitimeve nga vendet e tjera jashtë Kinës, ndërkohë që edhe ajo do të përfitonte nga shtimi i turistëve të huaj, tashmë të lirë për të udhëtuar dhe vizituar Pekinin, Shangain, Sijanin etj.

Një qendër tregtare në Pekin, 2 janar 2023(Foto:VCG)

Kina përthith 20 përqind të lëndëve të para që prodhohen në botë, si naftë, minerale etj. Me vënien në punë të ekonomisë kineze të gjitha këto rezerva do të vihen në lëvizje dhe vetë ekonomia globale do të shihte një shans dhe mundësi të re për zhvillim e përparim. Dhe në fund të fundit është ekonomia e zhvillimi i saj bazë e ndryshimeve pozitive në botë. Askush nuk mund të mendojë se pa aktivitetin ekonomik dhe produktin e saj pozitiv do të mund të shkohet drejt stabilitetit dhe rritjes së mirëqenies së përgjithshme.

Politika e hapjes e autoriteteve kineze në ekspertizën ndërkombëtare nuk është realizuar në kushte e rrethana specifike. Ajo erdhi si pasojë e hapjes në të gjithë botën.Konsolidimi post pandemik i Republikës Popullore të Kinës është njëkohësisht rritje e shanseve për përparim dhe zhvillim ekonomik panglobal.

postime te fundit

CONTACT US